Vizita e presidentit amerikan, Joe Biden në Ukrainë 20 shkurt 2023 – Foto: Presidenca ukrainase/ ueb-faqja zyrtare
Bideni ia ndan Ukrainës edhe 500 milionë dollarë për armatim
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur vendimin për financimin e një pako të re prej 500 milionë dollarësh ‘për armatim për Ukrainën’ – thuhet në komunikatën për media të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
Reuters raporton se zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë më herët se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë pako shtesë për Ukrainën deri në fund të administratës së Bidenit, më 20 janar.
Uashingtoni njoftoi dhjetë ditë më parë se do të dërgonte në Ukrainë: raketa, municione, minë kundër këmbësorisë dhe armë të tjera, në vlerë prej 725 milionë dollarësh.
Administrata në largim e Bidenit po mundohet të fuqizojë ndihmën për Ukrainën, për të neutralizuar pushtimin rus para se Bideni ta përfundojë mandatin. Dhe, në mes të Janarit t’ia transferojë pushtetin republikanit, Donald Trump.
Pakoja e fundit në vlerë prej 500 milionë dollarësh do të përfshijë municion të Sistemeve të avancuara të Artilerisë raketore, të njohur si HIMARS dhe Raketa kundër rrezatimit – ka konfirmuar Blinken.
Reuters raporton se Biden ka autorizim presidencial për të përdorur edhe 5.6 miliardë dollarë për armatim – pa pasur nevojë për të marrë aprovimin e Kongresit amerikan.
Ndërkohë, trupat ruse kanë marrë fshatra me radhë në lindje të Ukrainës, në rajonin lindor të Donbasit. Derisa, bombardimet ajrore ruse kanë shënjestruar Sistemin e Energjisë elektrike, në kohën e dimrit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com