Fotografi: Avi Ohayon/dpa/GPO/picture alliance
Bideni i thotë Netanyahut se ujdia për armëpushim është urgjente
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se është urgjente nevoja për arritjen e një ujdie për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve, ka njoftuar të enjten (22.08.2024) Shtëpia e Bardhë, raporton BBC.
Në një bisedë telefonike të zhvilluara të mërkurën, në prani edhe të zëvendëspresidentes Kamala Harris, lideri amerikan thuhet se i ka spikatur Netanyahu rëndësinë e “heqjes së pengesave të mbetura” që po e bllokojnë një marrëveshje me “Hamasin”.
Ai ka ritheksuar gjithashtu zotimin e Uashingtonit për ta ndihmuar mbrojtjen e Izraelit kundrejt atyre që Shtëpia e Bardhë i ka quajtur “të gjitha kërcënimeve nga Irani, përfshirë edhe prej grupeve të tij besnike terroriste, ‘Hamas’, ‘Hezbollah’ dhe huthëve” të Jemenit.
Deklarata për bisedën telefonike ka ardhur pasi sekretari amerikan i Shtetit e përfundoi turneun udhëtimin e tij diplomatik në Lindje të Mesme në kuadër të përpjekjeve amerikane për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës.
Zyra e Netanyahut ka bërë të ditur të mërkurën se Izraeli planifikon t’i mbajë trupat në një rrip toke përgjatë kufirit ndërmjet Gazës dhe Egjiptit – të njohur si Korridori Philadelphi – në rast të një ujdie të tillë.
“Izraeli do të vazhdojë përpjekjet për arritjen e të gjitha objektivave të tij për luftën, sikur se janë përcaktuar prej kabinetit të sigurisë, përfshirë që Gaza kurrë më të mos përbëjë kërcënim sigurie për Izraelin. Kjo kërkon sigurimin e kufirit jugor”, thuhet në deklaratë.
Kjo çështje është kthyer në mollë sherri pasi “Hamasi” ngulmon për tërheqjen e tyë gjitha trupave izraelite nga Gaza. Edhe Egjipti kundërshton praninë e trupave izraelite përgjatë kufirit të tij me Gazën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk ka konfirmuar nëse propozimi amerikan parasheh tërheqjen e trupave nga Korridori Philadelphi, por ngulmi i Netanyahu për të përsëritur kërkesën e tij duket se ka irrituar Uashingtonin.
Një zyrtar amerikan e ka akuzuar kryeministrin izraelit se po bënte “deklarata maksimaliste” që nuk ishin konstruktive për të arritur një ujdi armëpushimi për të cilën të gjitha palët do të bënin lëshimet e veta.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com