Biden i ha fjalët, e fal të birin
Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka falur të birin Hunter, të dielën mbrëma – sipas kohës lokale amerikane – duke shmangur mundësinë, që të dënohet me burgim ‘për blerje të kundërligjshme të armës dhe shmangie taksash’; njëherit, duke shkelur premtimet e tij të kaluara, se: ‘nuk do të përdorte kompetencat e jashtëzakonshme të Presidencës, për të përfituar familja e tij’ – raporton AP.
Presidenti demokrat kishte thënë, më parë, se: ‘nuk do ta falte të birin – ose, nuk do ta shfuqizonte Dënimin – pas dy proceseve gjyqësore, në Delaware dhe Kaliforni’. Vendimi është marrë disa javë para se Hunter Biden të merrte Ndëshkimin, për procesin e tij gjyqësor ‘në rastin e armëve’. Dhe, pasi kishte pranuar fajësinë ‘për mashtrim taksash’. Si dhe, më pak se dy muaj, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo mbyll një histori të gjatë legale për Bidenin e ri, i cili publikisht e kishte pranuar në dhjetor 2020, se: ‘po hetohej nga Drejtësia Federale’ – një muaj pas fitores së babait më 2020 – duke lënë hije në trashëgiminë politike të Bidenit plak.
Biden, i cili herë pas here ishte zotuar para amerikanëve, se: ‘do të rikthente normat dhe do të respektonte sundimin e ligjit’ – pas mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë – ka përdorur, në fund, pushtetin për ta ndihmuar të birin; duke shkelur zotimin publik para amerikanëve, se, pikërisht, këtë nuk do ta bënte.
Në një deklaratë të shkruar, të lëshuar të dielën mbrëma, Biden ka thënë: ,,Unë besoj në Sistemin e Drejtësisë, por derisa jam përballur me këtë, gjithashtu, besoj se politika e ashpër e ka ndikuar këtë proces – e, ka çuar drejt mosvënies së drejtësisë në vend”.
Falja nga Presidenti nuk përfshin vetëm: ‘shkeljet në rastet e armës dhe taksave ndaj Bidenit të ri’, por edhe çfarëdo ,,shkelje kundër Shteteve të Bashkuara, që ai i ka kryer ose mund t’i ketë kryer – ose, ka marrë pjesë – gjatë periudhës: 1 janar 2014 – 1 dhjetor 2024”.
Në qershor, Biden kishte mohuar kategorikisht faljen ose zbutjen e dënimit të të birit, duke u deklaruar para gazetarëve – derisa I biri po gjykohej, në Delaware, ‘në rastin e armëve’: ,,I qëndroj Vendimit të jurisë. Do ta bëjë këtë dhe nuk do ta falë”.
Madje, edhe më 8 nëntor, disa ditë pas fitores së Trumpit, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, e kishte përjashtuar mundësinë e faljes ose zbutjes së Bidenit më të ri, duke theksuar: ,,Na është shtruar kjo pyetje shumë herë. Përgjigja jonë qëndron. E, ajo është Jo”.
Bideni plak e kishte mbrojtur publikisht të birin e tij të vetëm të gjallë. Derisa, Hunter kishte rrëshqitur në probleme serioze të varësisë së drogës – duke i shkaktuar telashe familjes, para se ta rimerrte veten në vitet e fundit. Rivalët politikë, kaherë, i kanë përdorur telashet e të birit kundër Bidenit.
Kongresistët republikanë kishin marrë, madje, një nismë për fillimin e procedurës së shkarkimit të Bidenit – për shkak të lidhjeve të dyshimta biznesore të Hunterit – duke theksuar, se: ‘Presidenti kishte lidhje me to, ose kishte përfituar prej tyre’.
Por, Biden ka thënë, të dielën, se: ‘beson që djali i tij nuk po gjykohet drejtësisht vetëm se është i biri i tij’. ,,Shpresoj se amerikanët do ta kuptojnë se përse një baba dhe një president do të merrte këtë vendim” – ka shtuar Biden, duke bërë të ditur se Vendimin e ka marrë në fundjavë.
Hunter Biden ishte dënuar, në qershor, në Delaware, nga një Gjykatë Federale, për tri pika të akuzës: ‘pse kishte blerë një armë më 2017’ – kur, sipas Prokurorisë, kishte gënjyer: ‘duke pretenduar se nuk po përdorte ilegalisht drogat ose se nuk ishte i varur prej tyre’.
Në shtator, pritej të dilte para Drejtësisë, në Kaliforni, në rastin ku po akuzohej, se: ‘nuk i kishte kryer 1.4 milion dollarë detyrime taksash’. Por, kishte pranuar fajësinë, në një vendim të papritur, disa orë para se të niste Gjykimi.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com