
Donald Trump dhe Joe Biden
Bideni e Trumpi shtyhen për meritat e ndërmjetësimit të armëpushimit
Presidenti amerikan, Joe Biden ka theksuar se janë dashur “muaj të tërë diplomacie intensive”, për arritjen e Marrëveshjes së Armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit”, ndërsa ka përshkruar hapat e ardhshëm të Marrëveshjes që pritet t’i japë fund luftës 15-mujore – raporton BBC.
Në një Konferencë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, ai ka deklaruar se ishte “thellësisht i kënaqur që erdhi kjo ditë” dhe i cilësoi negociatat prej më të vështirave të karrierës së tij.
Marrëveshja përbëhet nga tri faza – ka njoftuar Biden. E para prej të cilave përfshin një “armëpushim të plotë”, që do të fillojë më 19 janar – një ditë para se ai të largohet nga detyra.
Bideni u ka deklaruar gazetarëve se faza e parë do të përfshijë tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e populluara të Gazës, lirimin e pengjeve në duar të “Hamasit” – duke përfshirë gra, të moshuar dhe të burgosur të plagosur dhe lirimin e qindra të burgosurve palestinezë.
“Ka një numër detajesh për të negociuar për të kaluar nga faza e parë në fazën e dytë, por plani thotë se nëse negociatat zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi do të vazhdojë për sa kohë që negociatat vazhdojnë.” – ka deklaruar Bideni.
Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura gjallë, duke përfshirë ushtarët meshkuj, si dhe çdo forcë të mbetur izraelite të tërhiqet nga Gaza. Armëpushimi i përkohshëm do të bëhet i përhershëm në këtë fazë – ka deklaruar ai.
Faza e tretë përfshin kthimin e eshtrave të pengjeve që janë vrarë te familjet e tyre dhe një “plan të madh rindërtimi” për Gazën.
Ndërsa Biden deklaroi se Administrata e tij kishte “folur si një ekip” me Administratën e ardhshme të Donald Trumpit. Presidenti theksoi rolin e tij dhe të Administratës së tij për finalizimin e Marrëveshjes. Ai ka theksuar se Korniza për Marrëveshjen ndoqi “konturat e sakta” të një plani, që ai e paraqiti për herë të parë në majin e vitit 2024.
Dhe, sapo mbaroi Konferenca për shtyp, Presidenti u pyet se kush duhet të marrë meritat për Marrëveshjen – ai apo Trumpi. Biden u kthye dhe para se të largohej tha: “A është kjo një shaka?”.
Trump, ndërkohë, ka shkruar në Truth Social se Marrëveshja “epike” u mundësua vetëm sepse ai i fitoi Zgjedhjet presidenciale të Nëntorit.
“Kjo i sinjalizoi të gjithë botës se Administrata ime do të kërkonte paqe dhe do të negocionte Marrëveshje, për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve tanë.” – ka shkruar ai.
Megjithë mesazhet e duelit, të dy Administratat punuan në bashkërendim të ngushtë, ndërsa Marrëveshja e Armëpushimit u arrit në ditët e fundit – vlerëson transmetuesi britanik BBC.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com