
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden
Bideni bllokon shitjen e 'US Steelit' për rivalin japonez të çelikut
Presidenti amerikan, Joe Biden ka bllokuar blerjen e ofertuar të prodhuesit të çelikut “US Steel” nga kompania rivale japoneze “Nippon Steel” në vlerë prej 14.9 miliardë dollarësh amerikanë – ka raportuar, më 03.01.2025, transmetuesi britanik BBC.
Në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë është bërë e ditur se urdhri ekzekutiv ka cituar “dëshmi të besueshme” se firma “mund të ndërmarrë veprime që kërcënojnë të dëmtojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Bideni ka vendosur të bllokojë ujdinë pavarësisht prej përpjekjeve për ta ndikuar ditëve të fundit prej disa këshilltarëve të tij kryesorë, të cilët raportohet se kishin paralajmëruar se refuzimi i një investimit të tillë nga një korporatë e fuqishme japoneze, si “Nippon Steel” do të mund të dëmtonte marrëdhëniet e Uashingtonit me Tokion.
BBC-ja ka kontaktuar “Nippon Steelin” dhe “US Steelin” për komentim të këtij lajmi.
Vendimi i ishte lënë Presidentit amerikan në largim, pasi një panel qeveritar amerikan dështoi të arrinte konsensus në fund të dhjetorit nëse pranimi i ofertës së “Nippon Steelit” mund të kërcënojë sigurinë kombëtare të Uashingtonit.
Bidenit i ishte kërkuar që të vepronte brenda pesëmbëdhjetë ditësh pas një ngërçi në Komitetin për Investime të Huaja në Shtetet e Bashkuara (CFIUS).
Ai vazhdimisht e kishte kritikuar ujdinë, duke anuar në krahun e një morie politikanësh amerikanë të cilët e kishin vënë në dyshim këtë tranzicion.
Ata përfshinin presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe zëvendëspresidentin e ri, JD Vance.
Marrëveshja u bë pjesë e debatit të Zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024, kur Pensilvania u kthye në njërin prej shteteve kritike të lëkundura dhe sindikalistët e “United Steelworkers” e kundërshtuan zëshëm Marrëveshjen.
“Nippon Steel” e kishte përshkruar më parë transaksionin si vendimtar për industrinë goxha të dëmtuar të çelikut në të kaluarën në Pensilvani.
Kompania japoneze dhe “US Steel” më parë kishin sugjeruar se mund të ndjekin rrugën ligjore kundër Qeverisë, nëse Marrëveshja nuk realizohet.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com