Presidenti i SHBA Joe Biden /Getty Images

Biden u kërkon amerikanëve të largohen nga Ukraina

Presidenti i SHBA Joe Biden ka përsëritur paralajmërimin e tij se çdo amerikan që është ende në Ukrainë duhet të largohet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Nuk është se kemi të bëjmë me një organizatë terroriste. Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Është një situatë shumë e ndryshme dhe gjërat mund të dalin jashtë kontrollit shumë shpejt,” tha ai në një intervistë për NBC News transmetuar të enjten.

I pyetur nëse kishte ndonjë skenar që do ta shtynte atë të dërgonte trupa amerikane në Ukrainë për t’i shpëtuar amerikanët, presidenti tha: “Nuk ka. Do të ishte një luftë botërore nëse amerikanët dhe Rusia fillojnë të qëllojnë kundër njëri-tjetrit.”

Ai argumentoi se nëse Putini është “mjaft budalla sa të hyjë në luftë, ai është mjaft i zgjuar që, në fakt, të mos bëjë asgjë që do të ndikonte negativisht tek qytetarët amerikanë”.

I pyetur nëse ia ka thënë ndonjëherë këtë Putinit, Biden tha se ia kishte thënë.

“Nuk më duhej t’i tregoja atij për këtë. Unë kam folur për këtë dhe ai e di këtë”, tha Biden.

Departamenti i Shtetit për javë të tëra i ka këshilluar amerikanët në Ukrainë që të largohen nga atje./AP