Biden shqyrton bojkotin diplomatik të Olimpiadës në Kinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se po shqyrton bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, që do të mbahen në Pekin të Kinës.

“Kjo është diçka që po e shqyrtojmë”, u tha Biden gazetarëve, përpara bisedimeve me udhëheqësit e Meksikës dhe Kanadasë.

Bojkoti diplomatik i SHBA-së do të nënkuptonte që asnjë zyrtar amerikan nuk do të dërgohej për të ndjekur Lojërat.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë të tensionuara për një varg çështjesh, nisur nga tregtia deri te abuzimet e dyshuara me të drejtat e njeriut.

SHBA-ja e ka akuzuar Kinën për gjenocid ndaj ujgurëve – pakicë myslimane që jeton kryesisht në rajonin autonom të Ksinjiangut.

Të hënën, Biden ka mbajtur bisedimet e para direkte me presidentin e Kinës, Xi Jinping.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se dy udhëheqësit nuk kanë biseduar për Olimpiadën gjatë takimit virtual.

Bojkoti diplomatik nuk do t’i prekte atletët, por Psaki ka thënë se SHBA-ja është ende duke finalizuar se cila do të jetë prania e saj në Lojërat, që do të nisin më 4 shkurt.

Edhe ligjvënësit demokratë, edhe ata republikanë i kanë bërë thirrje Bidenit për bojkot diplomatik të Kinës.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi, ka thënë se liderët amerikanë që marrin pjesë në Lojëra, do të humbasin “autoritetin e tyre moral”./REL