Foto: Joe Biden/ Facebook

Biden: SHBA sulmoi grupet në Siri për të mbrojtur personelin amerikan

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara këtë javë ndaj shënjestrave të lidhura me Iranin në Siri, janë kryer për të mbrojtur personelin amerikan, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Ai i ka bërë këto komente më 25 gusht, në një letër që i ka dërguar udhëheqëses që Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nanacy Pelosi.

Në letër, Biden ka thënë se ka urdhëruar sulmet “për shkak të përgjegjësisë që të mbrojë shtetasit e SHBA-së në shtëpi dhe jashtë saj”.

Zyrtarët lokalë ushtarakë kanë thënë se ushtria amerikane ka qëlluar disa shënjestra më 25 gusht në qytetin sirian, Mayadin që gjendet në provincën, Deir al-Zor.

Milicitë iraniane kanë prezencë të madhe aty dhe shpesh kanë kryer sulme afër një zone nafte në al-Omar, ku e ka bazën koalicioni amerikan.

Në 24 orët e fundit, ushtria amerikane kanë thënë se katër militantë janë vrarë dhe shtatë raketa-hedhëse janë shkatërruar.

Pentagoni ka thënë se tre pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë pësuar plagë të lehta si rezultat i përleshjeve të 24 gushtit.

Ministria e Jashtme iraniane ka mohuar se Teherani ka lidhje me grupet e shënjestruara.

“Sulmi amerikan në infrastrukturën siriane dhe njerëzit atje përbën shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë”, ka thënë zëdhënësi, Nasser Kanaani përmes një postimi në kanalin e ministrisë në Telegram.

“Këto grupe të shënjestruara nuk kanë lidhje me Republikën Islamike”, ka thënë mes tjerash ai.

Deir al-Zor është provincë e pasur me naftë në kufi me Irakun dhe kontrollohet nga milicitë e përkrahura nga Irani dhe forcat siriane.

Këto grupe janë shënjestruar në të kaluarën nga aeroplanët luftarakë të Izraelit. REL