Vizita e presidentit amerikan, Joe Biden në Ukrainë 20 shkurt 2023 – Foto: Presidenca ukrainase/ ueb-faqja zyrtare
Biden: SHBA do të bashkëpunojë me partnerët për alternativat në Siri
Presidenti Joe Biden tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri, për të shqyrtuar alternativat dhe për të menaxhuar rrezikun – pasi kryengritësit përmbysën presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fqinjët e Sirisë, gjatë periudhës së tranzicionit, e do të ndjekin me kujdes retorikën e veprimet e grupeve rebele.
Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinë zyrtarisht vendndodhjen e Asadit. Por, vuri në dukje njoftimet – sipas së cilave – ai kishte shkuar në Moskë.
Ai tha se al-Assad “duhet të mbahet përgjegjës”. Biden tha se Siria është në një periudhë rreziku e pasigurie dhe se është hera e parë në vite, që as Rusia, as Irani dhe as organizata militante e Hezbollahut nuk kanë një rol me ndikim në Siri.
“Për vite të tëra, mbështetësit kryesorë të Assadit kanë qenë Irani, Hezbollahu dhe Rusia. Por, gjatë javës së fundit, mbështetja e tyre u shpërbë. Sepse, të tre ata janë shumë më të dobët sot, se sa ishin kur unë mora detyrën.” – tha zoti Biden, i cili u bë President në vitin 2021.
Presideti Biden tha se forcat amerikane kryen të dielën mbi 10 sulme, me precizion të lartë, brenda Sirisë – duke vënë në shënjestër kampet dhe operativët e grupit militant ‘Shteti Islamik’.
“Është një moment që ofron mundësi historike për popullin e Sirisë, i cili ka vuajtur për një kohë të gjatë – që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e vet krenar. Është, gjithashtu, një moment rreziku dhe pasigurie.” – tha zoti Biden. “Ndërsa, ne të gjithë bëjmë pyetjen se çfarë vjen më pas, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë e palët e interesuara në Siri – për t’i ndihmuar ata të përfitojnë nga mundësia për të menaxhuar rrezikun.” – shtoi zoti Biden./VOA