Foto: CNN

Biden: Putini duhet të përballet me gjyq për krime lufte

Presidenti Joe Biden bëri thirrje të hënën për një gjyq për krime lufte kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe tha se do të kërkonte ashpërsimin e sanksioneve pas njoftimeve të fundit për mizori në Ukrainë.

“E keni parë se çfarë ndodhi në Buchan”, pyeti zoti Biden. Ai shtoi se Putini “është një kriminel lufte.”

Komentet e Presidentit Biden për gazetarët pasuan vizitën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në Bucha, një nga qytetet përreth Kievit, ku zyrtarët ukrainas thonë se janë gjetur trupa të civilëve të vrarë. Presidenti Zelenskyy i quajti veprimet ruse “gjenocid” dhe i bëri thirrje Perëndimit që të vendos sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.

Prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova tha se nga qytetet afër Kievit janë hequr trupat e 410 civilëve të vrarë. Gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press panë trupat e të paktën 21 personave në pika të ndryshme rreth qytetit të Buchanit, në veriperëndim të Kievit.

Në një postim të hënën në Twitter, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian do të dërgojë hetues në Ukrainë për të ndihmuar prokuroren e përgjithshme të këtij vendi “të dokumentojë krimet e luftës”./VOA