Foto: Joe Biden/ Facebook

Biden: Pushtimi rus në Ukrainë është çështje globale

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të martën se kriza në Ukrainë është çështje globale, e cila ka rritur rëndësinë e ruajtjes së rendit ndërkombëtar, integritetit territorial dhe sovranitetit.

Komentet e Bidenit në Tokio kanë ardhur një ditë pasi ai ka ofruar mbështetje ushtarake për Tajvanin, ishull që vetëqeveriset, por të cilin Kina e sheh si të sajin.

“Kjo është më shumë sesa çështje evropiane. Është çështje globale”, ka thënë Biden për krizën në Ukrainë, në një takim të zhvilluar mes delegacioneve të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Indisë dhe Australisë.

Biden ka theksuar se Uashingtoni është me aleatët e saj dhe ka bërë thirrje për një rajon të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit.

“Ligji ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut duhet të mbrohen gjithmonë, pavarësisht se ku janë shkelur në botë”, ka thënë ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve biznesorë botërorë në Forumin Davos, se bota duhet të shtojë sanksionet kundër Rusisë, për të penguar shtetet tjera nga përdorimi i “forcës brutale” për të arritur qëllimet e tyre.

Bashkimi Evropian pritet të pajtohet për një embargo në importet e naftës ruse “brenda ditësh”, ka thënë Gjermania, teksa Moska ka thënë se lidhjet ekonomike me Kinën do të rriten.

Aktualisht Rusia është izoluar nga Perëndimi për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë.

Një pjesë e 27 vendeve anëtare të bllokut evropian janë tejet të varura nga energjia ruse, duke nxitur kritika nga Kievi se blloku nuk ka vepruar mjaftueshëm shpejt për të ndalur furnizimet.

Hungaria është duke kërkuar investime në energji para se të pajtohet për embargo, duke u përplasur kështu me shtetet e BE-së që kërkojnë miratim të shpejtë të embargos.

BE-ja u ka ofruar 2 miliardë euro shteteve qendrore dhe atyre lindore që nuk kanë furnizimet tjera përveç atyre nga Rusia.

“Do të arrijmë marrëveshje brenda ditësh”, ka thënë ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck, për transmetuesin ZDF.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Kremlini do të fokusohet në krijim të lidhjeve me Kinën, pasi janë shkëputur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

“Nëse Perëndimi dëshiron të ofrojë diçka për rikrijim të lidhjeve, atëherë ne do ta mendojmë seriozisht nëse na duhet diçka e tillë apo jo”, ka thënë ai në një fjalim sipas ministrisë ruse.

“Tani që Perëndimi ka marrë ‘pozicion diktatorial’, lidhjet tona ekonomike me Kinën do të rriten edhe më shumë”.

Pushtimi tremujor rus në Ukrainë, sulmi më i madh në ndonjë shtet evropian prej vitit 1945, ka rezultuar me mbi 6.5 milionë njerëz që kanë ikur nga shteti, ka shndërruar qytetet në gërmadha dhe me sanksione të pashembullta të Perëndimit ndaj Rusisë.

Zelensky ka bërë thirrje që aleatët e Ukrainës t’i bëjnë presion Moskës për këmbim të të burgosurve.

“Këmbimi i njerëzve – është çështje humanitare dhe vendim politik që varet nga mbështetja e shumë shteteve”, ka thënë Zelensky në Forumin Ekonomik Botëror, të mbajtur në Davos të Zvicrës.

“Neve nuk na duhen ushtarët rusë, na duhet ushtarët tanë”, ka thënë Zelensky.

“Ne jemi të gatshëm për këmbim, që prej nesër”.

Luftimet në Donbas

Rusia ka nisur mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, për atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar këtë vend fqinj dhe për të çrrënjosur nacionalistët e rrezikshëm – pretendime që Kievi dhe Perëndimi i kanë parë si arsyetime të rreme për të fituar territor.

Pasi kanë marrë qytetin e Mariupolit javën e kaluar, pas disa muajsh luftime, forcat ruse tani kanë nën kontroll një pjesë të lindjes dhe jugut të Ukrainës.

Ata janë duke tentuar të rrethojnë forcat ukrainase dhe të fitojnë kontrollin e rajonit të Donbasit, ku Moska mbështet forcat separatiste.

Një total prej 12,500 forcave ruse janë duke tentuar të marrin Luhanskun, ka thënë guvernatori rajonal, Serhiy Gaidai përmes Telegramit.

Ukraina është duke hetuar mbi 13,000 krime të dyshuara të luftës, ka thënë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Rusia e ka mohuar shënjestrimin e civilëve dhe përfshirjen në krime lufte.

Në një varrezë jashtë Mariupolit, Natalya Voloshina, e cila ka humbur djalin e saj 28-vjeçar në luftimet për këtë qytet, ka thënë se shumë prej të vdekurve të këtij rajoni nuk kanë askënd për t’i kujtuar.

“Kush do t’i varrosë ata? Kush do t’iu vendosë një pllakë?” ka pyetur ajo.

“Ata nuk kanë familje”./REL