Biden pas betimit: Sot është dita e demokracisë, historisë dhe shpresës

Joe Biden para disa minutash bëri betimin e tij si president i ShBA-së.

Pas betimit, Biden tha se sot është dita e demokracisë dhe që bëri thirrje për unitet.

Ai tha se nevojitet shumë punë që t’i rikthehet shpirti Amerikës sidomos në këto kohë të vështira pandemie ku kanë humbur jetën shumë persona.

“Kjo është dita e Amerikës, dita e demokracisë, historisë dhe shpresës. Për shumë vite Amerika është sfiduar dhe i ka tejkaluar të gjitha. Vullneti politik i njerëzve është lënduar, ne kemi mësuar se demokracia është e çmuar. Në këtë ditë demokracia ka fituar, në këtë vend të bekuar, ku ka pasur dhunë para disa ditësh këtu, duke dashur ta dëmtojë atë, ne jemi bashkuar në një shtet të kthyer kah Zoti. Jemi një komb i mirë, kemi kaq shumë punë për të bërë me mundësi tona, duhet të shërojmë e duhet të ndërtojmë. Njerëzit në vendin tonë ka pasur kohë sfiduese, kemi një virus që ndodhë një herë në shekull, kemi viktima më shumë se në luftë botërore”, u shpreh Biden.

Biden është presidenti i 46-të i ShBA-ve.

Në këtë ceremoni mori pjesë Bill Clinton dhe Barack Obama. Kurse, ish-presidenti Donald Trump fluturoi për në Florida, duke shmangur qëndrimin e tij në ceremoni.