Foto: REL

Biden, optimist për arritjen e armëpushimit në Gazë

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është optimist lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi dhe të lirimit të pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Jemi më afër se kurrë” arritjes së një marrëveshjeje, tha Biden më 16 gusht.

Duke folur me gazetarët nga Zyra Ovale, dy orë pasi përfunduan bisedimet në Doha dhe njoftimit se bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme, Biden tha se arritja e një marrëveshjeje armëpushimi “është shumë, shumë më afër sesa ishte tri ditë më parë”.

Kjo nuk është hera e parë që Biden ka shprehur optimizëm që mund të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën 10-mujore në Gazë.

Pas përfundimit të bisedimeve dyditore në Doha, SHBA-ja tha se ato ishin “serioze dhe konstruktive”.

Në këto bisedime, SHBA-ja ka propozuar një marrëveshje, që synon të tejkalojë dallimet mes palëve. Takimi i radhës do të mbahet javën e ardhshme në Kajro.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulm të paprecedent në Izrael, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor që udhëhiqet nga Hamasi./REL