David J. Kostelancik, i nominuar për ambasador të ardhshëm të SHBA-së në Shqipëri.

Biden nominon David J. Kostelancik për ambasador në Shqipëri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nominuar emra të rinj për të shërbyer si udhëheqës kryesorë në administratën e tij, përfshirë disa ambasadorë, në mesin e të cilëve është edhe i nominuari për ambasador të ardhshëm në Shqipëri.

Biden nominoi diplomatin David J. Kostelancik për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Pas nominimit nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, propozimi i kalon Senatit për miratim, dhe më pas pritet që Kostelancik të marrë zyrtarisht detyrën duke zëvëndësuar ambasadoren Yuri Kim.

David J. Kostelancik, diplomat karriere, aktualisht shërben si këshilltar për Politikën e Jashtme i gjeneralit Mark Milley. Ai ka shërbyer më herët si zëvendësshef i Misionit të SHBA-së në Hungari, dhe për dy vjet si i ngarkuar me punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest.

Diplomati ka qënë i përfshirë në Misionin e SHBA-së në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe në Misionin e SHBA-së në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Ai ka ushtruar disa detyra të rëndësishme si: drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore e Qendrore dhe drejtor i Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjit. Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA-së në Rusi.

Ambasadorja aktuale amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e nisi misionin e saj në Shqipëri më 22 janar 2020./REL