Biden dhe Scholz do të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë

Joe Biden, presidenti i SHBA-së dhe Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë, do të fokusojnë diskutimet e tyre të premten mbi ndihmën e luftës për Ukrainën, në një takim që pritet të mbahet sot në Shtëpinë e Bardhë.

Biden dhe Scholz gjithashtu mund të flasin edhe për shqetësimet se Kina mund të ofrojë ndihmë vdekjeprurëse për Rusinë, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Scholz i ka kërkuar Kinës që të mos dërgojë armë për ta ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë dhe në vend të kësaj i ka kërkuar Pekinit të ushtrojë presion ndaj Moskës për t’i tërhequr forcat e saj.

SHBA do të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën të premten, me vlerë rreth 400 milionë dollarë dhe e përbërë kryesisht nga municionenjofton Reuters.

Një takim i diplomatëve të lartë nga Grupi i 20 vendeve të industrializuara dhe në zhvillim në Nju Delhi ka përfunduar pa konsensus për luftën në Ukrainë. Shumica e anëtarëve të G20 e dënuan ashpër luftën në Ukrainë, me Rusinë dhe Kinën që nuk u dakorduan, tha presidenti i G20, India.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kanë biseduar për më pak se 10 minuta në margjinat e takimit të G20 në Nju Delhi, sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit të SHBA. Blinken i përsëriti Lavrovit se Uashingtoni është i përgatitur ta mbështesë mbrojtjen e Ukrainës për aq kohë sa duhet, tha zyrtari, në atë që besohet të jetë biseda e tyre e parë personalisht që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Rusia e ka sulmuar një bllok banimi pesë-katësh në Zaporizhzhia, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur tetë të tjerë. Administrata ushtarake rajonale e Zaporizhzhia tha se forcat ruse  duket se kanë përdorur një raketë S-300 për sulmin. Një zëdhënës i përfaqësuesve rusë në rajonin pjesërisht të pushtuar, të cilin Federata Ruse pretendon se e ka aneksuar, tha – duke mos dhënë asnjë provë – se sulmi ishte rezultat i veprimeve të mbrojtjes ajrore ukrainase.

Kremlini pretendon se Rusia është sulmuar nga “terroristët” pasi dolën raporte kontradiktore për përleshjet nga rajonet Bryansk dhe Kursk, për të cilat media ruse i fajësoi “grupet sabotuese” ukrainase. Raportimet për luftime në Rusi pranë kufirit me Ukrainën filluan të enjten në mëngjes. Udhëheqësi i rajonit Bryansk pohoi se një “grup sabotazhi hapi zjarr mbi një automjet në lëvizje. Për pasojë ka mbetur i vrarë një banor; është plagosur një fëmijë 10 vjeç.”

Vladimir Putin planifikon ta mbajë një takim të këshillit të sigurisë, organi kryesor vendimmarrës ushtarak i Rusisë, të premten, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Sipas Peskov, Putin e ka anuluar gjithashtu një udhëtim në Stavropol.

Dëshmitë e mbledhura nga Kherson në Ukrainën jugore tregojnë se qendrat ruse të torturës nuk ishin “të rastësishme”, por përkundrazi të planifikuara dhe të financuara drejtpërdrejt nga shteti rus, sipas një ekipi avokatësh ukrainas dhe ndërkombëtarë të kryesuar nga një avokat në Mbretërinë e Bashkuar.

Një ekip i ri ekspertësh bërthamorë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e kanë marrë postin e tyre në stacionin bërthamor të Zaporizhzhias të pushtuar nga Rusia në Ukrainën jugore pas një vonese prej gati një muaji, ka thënë shefi i IAEA, Rafael Grossi. Në një deklaratë, Grossi tha se prania e vëzhguesve të IAEA në stacion ishte “e domosdoshme për të ndihmuar në uljen e rrezikut të një aksidenti bërthamor”./The Guardian