Biden dërgon video – mesazh: Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj popullit të Kosovës (VIDEO)

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pranuar një video – mesazh nga presidenti amerikan Joe Biden, nëpërmes së cilës, burrështetasi amerikan, ka falënderuar Osmanin pasi këtë të diel ajo do të ndaj Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Beau Biden, të birin e Presidentit të SHBA-ve, për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

Presidenti amerikan në video tha se është me të vërtetë nder njohja e trashëgimisë së Beau për punën e përzemërt që ai bëri në Kosovë, më të cilën ai ra në dashuri.

Idenë për këtë video Bidenit ia ka propozuar Presidentja e Kosovës përmes një letre para ca kohe. Osmani përmes një postimi në Facebook tha se videoja e plotë dhe me përkthim do të publikohet të dielën.

“Ky adresim e Presidentit Biden dëshmon raportet speciale e të palëkundura ndërmjet dy vendeve tona. Jemi të bekuar me aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.

Presidenti i SHBA-ve po ashtu tha se ishte me të vërtetë prekëse kur ai dhe familja e tij erdhën në Kosovë para pesë viteve për ceremoninë në nder të emërimit të magjistrales Ferizaj – Gjilan në emër të Beau.

“Ishte shumë prekëse për të gjithë ne, pasi kishte kaluar një vit që kur ai u nda nga jeta, të shohësh se si nderoheshin kujtimet e tij dhe mënyra se si flisnin për Beau duke pasur parasysh se sa jetë ai ka prekur, jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj popullit të Kosovës”, tha ai.

Përkthimi i plotë i fjalës së presidentit Biden, dërguar nëpërmes video – mesazhit presidentes Vjosa Osmani

Faleminderit Presidentja Osmani. Për momentin gjendem në hollin kryesor të Shtëpisë së Bardhë dhe fëmijët e Beau njëkohësisht mbesa dhe nipi im Natalie dhe Hunter edhe pse janë larg, ata po na përcjellin përmes ekranit.

Dua të falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje, është me të vërtetë nder njohja e trashëgimisë së Beau për punën e përzemërt që ai bëri në Kosovë, më të cilën ai ra në dashuri.

5 vite më parë, familja jonë Biden, erdhëm në Kosovë për ceremoninë në nder të emërimit të magjistrales në emër të Beau. Ishte shumë prekëse për të gjithë ne, pasi kishte kaluar një vit që kur ai u nda nga jeta, të shohësh se si nderoheshin kujtimet e tij dhe mënyra se si flisnin për Beau duke pasur parasysh se sa jetë ai ka prekur, jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj popullit të Kosovës.

Ai besonte plotësisht në pavarësinë dhe në demokracinë tuaj. Në kuadër të Departamentit të Drejtësisë, ai kishte dalë vullnetarë që të shkonte në Kosovë dhe të përkrahte pavarësinë dhe demokracinë e re. Në atë kohë Kosova ende i kishte plagët e freskëta nga lufta dhe sistemi i saj i drejtësisë që ishte ende nën ndikimin e atij totalitar për dekada, por Beau pa se çfarë ju mund të bëni për të ardhmen krenare të shtetit tuaj e cila për shumë kohë ju kishte mohuar.

Për këtë arsye ai ishte shumë i përkushtuar që krimet e luftës në Kosovë të hetoheshin tërësisht dhe të ndiqeshin penalisht, të ndihmonte Kosovën të ndërtonte një sistem të denjë që të sillte drejtësi në Kosovë pas brutalizimit të vendit nga Millosheviq. Beau ndihmoi gjithashtu të krijonte programe trajnimi për gjyqtarët lokal dhe prokurorët. Beau do të thoshte se ai ishte në mesin e njerëzve të dedikuar.