Biden: Demokracia po përballet me sfida të mëdha në mbarë botën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se demokracia po përballet “me sfida të qëndrueshme dhe alarmante” në mbarë botën.

Ai këto komente i bëri në nisjen e Samitit për Demokracinë, një samit virtual, ku po marrin pjesë liderët e 110 shteteve, përfshirë edhe Kosovën.

Sipas Bidenit, trendet e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar”, prandaj, ai tha se ““demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon “përpjekje të vazhdueshme”.

“Demokracia nuk ndodh aksidentalisht. Ne duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë dhe sipas meje, kjo është çështje urgjente për të gjithë ne”, tha Biden.

Presidenti Biden thanë se autokracitë e fuqishme po tentojnë që ta zgjerojnë ndikimin e tyre në mbarë botën.

“Përmes presionit të jashtëm nga autokratët, që duan të zgjerojnë fuqinë e tyre, për ta eksportuar dhe zgjeruar ndikimin e tyre në mbarë botën dhe për të justifikuar politikat dhe praktikat e tyre represive, si mënyrë më e mirë për të adresuar sfidat e sotme. Kështu e paraqesin ata këtë gjë”, tha Biden.

Ai tha se në planin e brendshëm, SHBA-ja ka nisur një sërë iniciativash për t’ua përmirësuar jetën amerikanëve, por po ashtu “ne po dyfishojmë mbështetjen tonë për demokracitë në mbarë botën”, tha Biden.

Biden bëri thirrje që bota të ngrihet në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Si komunitet global për demokracinë ne duhet të ngrihemi për vlerat që na bashkojnë, ne duhet të ngrihemi për drejtësi dhe sundim të ligjit, për liri të shprehjes, liri të tubimit, liri të medias, liri të besimit dhe për të gjitha të drejtat e njeriut”, tha Biden.

Kosova në këtë samit përfaqësohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo pritet që në këtë samit të paraqesë zotimet kryesore të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.

Samiti për Demokracinë do të mbahet gjatë dy ditëve, përmes video-lidhjeve, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kjo ngjarje është cilësuar si demonstrim i udhëheqjes amerikane në mesin e një lufte ekzistenciale midis demokracive dhe autokracive apo diktaturave të fuqishme.

Kina dhe Rusia – dy shtete të cilat Bideni i sheh si autokracitë kryesore – nuk janë ftuar që të marrin pjesë në këtë samit, gjë që ata thonë se ka nxitur dallime ideologjike.

“Asnjë shtet nuk ka të drejtë të gjykojë peizazhin e gjerë dhe të larmishëm politik të botës përmes një mase të vetme”, shkruan muajin e kaluar, ambasadori i Rusisë, Anatoly Antonov dhe ai i Kinës, Qin Gang.

Duke e irrituar edhe më shumë Kinën, administrata Biden e ka ftuar në këtë samit Tajvanin, ishulli që udhëhiqet në mënyrë demokratike, por që Pekini e sheh si provincë kineze.

Liderët e shteteve të NATO-s, siç është Turqia dhe Hungaria nuk janë ftuar, ndërkaq udhëheqësit e Pakistanit, Filipineve dhe Brazilit janë ftuar në këtë samit.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, janë ftuar edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërkaq, Bosnje e Hercegovinanuk është ftuar.

Një tjetër problem është edhe sulmi i 6 janarit ndaj Kongresit amerikan, në kohën kur po certifikohej fitorja e Bidenit ndaj presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, i cili ende vazhdon të mos i njoh rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Biden iu referua këtij sulmi, në kontekstin e demokracisë, gjatë adresimit në Kongres, disa javë më vonë.

“A mundet që demokracia jonë të tejkalojë gënjeshtrat, zemërimin, urrejtjen dhe frikën që po na ndajnë?”, pyeti Biden gjatë mbledhjes së Kongresit.

“Armiqtë e Amerikës – autokratët e botës – po vënë bast se ne nuk mund t’ia dalim”, shtoi ai.

Michael Abramowitz, president i Freedom House tha se demokracia në SHBA po lulëzon, por viteve të fundit ajo është lënduar.

“Tani për tani, ne po kalojmë nëpër një fazë në Amerikë ku është shumë e vështirë të kryhen gjërat dhe të vërtetohet se demokracia funksionon”, tha ai për AP.

Raporti i fundit vjetor i Freedom House shënoi vitin e 15 me radhë të rënies së demokracisë në botë.

“Nuk është sekret që demokracitë në mbarë botën po përballen me sfida nga kërcënimet e reja. Shtetet, në të gjitha rajonet e botës, po përballen me një shkallë të rënies së demokracisë”, tha Uzra Zeya. Nënsekretare e Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Një prej temave të samitit do të jetë efektet e dëmshme të korrupsionit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se grupet që veprojnë përtej kufijve janë “stabilizues” dhe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë qeveritarë.

“Ne e dimë gjithashtu se krimi i organizuar, i mbështetur nga aktorët e korruptuar, mund të destabilizojë sundimin e ligjit, të përkeqësojë besimin në institucione publike dhe të dobësojë qeverisjen demokrate”, tha Blinken përmes një deklarate. Rel