Foto: Joe Biden/ Facebook

Biden bën thirrje për pezullimin 3-mujor të taksës federale të gazit

Presidenti amerikan Joe Biden i ka bërë thirrje të mërkurën Kongresit që ta miratojë një pezullim tre-mujor të taksës federale të gazit – nga korriku deri në shtator – për t’i ndihmuar konsumatorët të përballen me koston në rritje të jetesës në Shtetet e Bashkuara.

Taksa është 18,4 centë për gallon (3,8 litra) për benzinën, e cila i shton 2,76 dollarë kostos së një mbushjeje tipike prej 15 gallonësh për shoferët në pompat e stacioneve të shërbimit. Me vendimin për pezullimin e taksës, kjo do të rezultonte me 24 centë më pak për gallon për naftë.

Ai u bëri thirrje 50 shteteve të vendit që t’i frenojnë edhe taksat e tyre të gazit për një periudhë kohore. Këto taksa janë mesatarisht 30 centë për gallon. Disa shtete i kanë ulur tashmë taksat e tyre, ndërsa të tjerë kanë shprehur frikën se ulja e taksës do t’i zvogëlonte të ardhurat shumë të nevojshme për ndërtimin dhe riparimet e autostradave. Ulja e taksës federale të gazit do t’i kushtonte fondit kombëtar të autostradave 10 miliardë dollarë.

Biden tutje ka shtuar se çmimi i naftës ka rënë me 10 dollarë për fuçi në dy javët e fundit, gjë që, sipas tij, duhet të kishte rezultuar në një ulje prej 25 centë për gallon në stacionet e shërbimit, por ka rezultuar vetëm në një ulje të vogël ose fare pak.

Benzina tani kushton mesatarisht rreth 5 dollarë për gallon në të gjithë SHBA-në, një rekord, megjithëse është shumë më i lartë në disa shtete./VoA