Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës rihapet pjesërisht për studentët

Nga sot Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka marrë masat për rihapje të pjesshme të sallave të leximit për përdoruesit duke respektuar masat për parandalimin e COVID-19.

“Përdoruesve të Bibliotekës u kërkohet të ndjekin nga afër uebfaqen e Bibliotekës  dhe profilet e saj në rrjetet sociale për të  gjitha njoftimet në lidhje me ndryshimet në kushtet e përdorimit të shërbimeve të Bibliotekës të shkaktuara nga masat anti-epidemike, dhe t’i respektojnë rreptësishtë ato” thuhet në njoftimin e Bibliotekës.

Për të përdorur bibliotekën është përpiluar një kod i sjelljes për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Sipas kësaj rregulloreje numri i përdoruesve të Bibliotekës është i kufizuar, 150 përdorues në të njëjtën kohë.

Përdoruesit duhet të kryejnë rezervimet online për të gjitha shërbimet e Bibliotekës në sistemin elektronik bkk-e-shërbime (https://e-service.biblioteka-ks.com/) (manuali i përdorimit). Pra, i gjithë procesi do të kryhet në formë elektronike dhe është shërbim elektronik i rezervimit në baza ditore.

Bartja e maskës në ambientet e BKK dhe respektimi i distancës fizike në 2 metra janë të detyrueshme.

Ndërsa përdoruesve do t’u matet temperatura e trupit me termometër IR pa kontakt në hyrje të Bibliotekës dhe lejohen të hynë vetëm ata me temperaturë jo më të lartë se 37.5°C.

Dezinfektues për dezinfektimin e duarve është në dispozicion në hyrje të ndërtesës, si dhe në sallë leximi.

Orari i shërbimit fillon nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 15:00, nga e hëna deri të premten.