Ndërtesa e Bibliotekës së Komunës së Prishtinës, "Hivzi Sulejmani" | Foto: Atdhe Mulla

Biblioteka ‘Hivzi Sulejmani’ në Prishtinë hap sallën e leximit

Nga dita e nesërme, 9 tetor, Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë do të hapë sallën e leximit për ata që duan ta shfrytëzojnë.

Biblioteka “Hivzi Sulejmani” ishe mbyllur pas përhapjes së pandemisë dhe rasteve të infektuara në radhët e punëtorëve të kësaj biblioteke. Por, në dy muajt e fundit kjo bibliotekë kishte ofruar shërbime vetëm për huadhënie.

Përmes një njoftimi në Facebook, menaxhmenti i kësaj biblioteka ka bërë të ditur se hapja e sallës së leximit bëhet në përputhje me masat e udhëzimet e institucioneve.

“Pasi janë bërë të gjitha përgatitjet, për kushte pune në situatë epidemie, rifillojmë me 40% të kapaciteteve të hapësirave për lexim që i bie gjithsej 135. Në dy javët e para do të punohet pesë ditë të javës nga ora 8.15 e deri në orën 16.00. Nëse shkon puna në rregull dhe pa pengesa që në javën e dytë do të fillojmë me orar të plotë do të thotë nga 8.00 – 19.00, në dy ndërresa, duke përfshi këtu edhe ditën e shtunë (8.oo-13.00)”, thuhet në njoftim.

Për një respekt sa më rigoroz të masave anti COVID-19 menaxhemni i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” ka marrë edhe masa të nevojshme, si për bartje të maskave, respektimin e distancës sociale dhe matje të temperaturës për lexuesit që hyjnë në bibliotekë.

Sipas njoftimit të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, çdo tavolinë leximi do të ketë numrin e saj, kështu që lexuesit paraprakisht janë të detyruar të marrin numrin për të shfrytëzuar sallën për lexim.