Biblioteka e Gjilanit “strehë” për stafin e Drejtorisë së Kulturës, LVV kundërshton "uzurpimin"

Të premten aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan zhvilluan aksion simbolik përmes të cilit kundërshtuan vendosjen e stafit të Drejtorisë së Kulturës në hapësirat e brendshme të objektit të Bibliotekës së qytetit.

Deniza Limani, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Gjilanit tha për KALLXO.com se një pjesë e stafit do të zhvendoset në Bibliotekë për shkak se duhet ta lirojnë hapësirën e Teatrit, objekt në të  cilin kanë vepruar deri më tash.

“Stafi i Drejtorisë do të vendoset për shkak që duhet ta lirojë hapësirën e Teatrit, i cili tanimë ka pranuar 22 punëtorë të rinj si staf i Teatrit”, tha Limani.

Sipas saj, kjo zhvendosje nuk do të jetë e përkohshme për shkak se Drejtoria e Kulturës nuk ka pasur deri tani objekt të vetin.

Limani tha se nuk do i bllokojnë sallat e leximit por do të shfrytëzohet pjesa lart e Bibliotekës si zyrë me desk të hapur për stafin, i cili përbëhet nga drejtoresha, financieri dhe tre zyrtarë të kulturës.

Tutje, ajo tha se kjo zhvendosje nuk do ta pengojë procesin e leximit por do të jetë një mundësi për menaxhim më të mirë.

Sipas aktivistëve të  LVV, Komuna është duke i uzurpuar hapësirat e kësaj Biblioteke të cilat janë të destinuara për lexuesit dhe se kanë kërkuar që mos të shfrytëzohen për qëllime politike.

Ata përmes një reagimi në Facebook kishin thënë se në këtë Bibliotekë LDK ka mbajtur takime partiake, tubime të fushatave zgjedhore, e tani po krijohen zyra të Drejtorisë komunale të Kulturës.