Avokati i Popullit, Naim Qelaj, Foto: KALLXO.com

Betohet në Kuvend Avokati i Popullit, Naim Qelaj

Avokati i Popullit, Naim Qelaj i sapozgjedhur në këtë pozitë, ka bërë betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Qelaj është zgjedhur Avokati i Popullit në raundin e tretë të votimeve gjatë seancës të së hënës.

“Unë betohem dhe premtoj solemnisht se do të kryej me besnikëri, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme detyrat dhe funksionet që më janë besuar nga Kushtetuta dhe me ligj, se do të mbroj dhe avancoj të drejtat dhe liritë e njeriut të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Avokati i Popullit shprehu falënderim për deputetët, duke premtuar dhe garantuar se do të respektojë në tërësi parimet dhe atë që është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

“Më lejoni që komunitetit boshnjak t’ia uroj ditën e tyre nacionale, duke shpreh admirim të veçantë për krejt kontributin e tyre që kanë dhënë në shtet ndërtimin e Kosovës, theksoi Qelaj.

“Respekt dhe do t’ua kthej besimin e juaj me punë dhe angazhim”, u tha ai në fund deputetëve.

Naim Qelaj në Qeverinë Haradinaj ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, kurse ka qenë edhe i koordinator nacional për mbrojtje nga dhuna në familje.