Betohen anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor

Vetëm Lëvizja Vetëvendosje do të përfaqësohet me dy anëtarë në Komisionin Qendror Zgjedhor të Zgjedhjeve.

Sot, në Presidencë, para presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kanë dhënë betimin 10 anëtarët e rinj të KQZ-së.

“Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas propozimeve të Grupeve Parlamentare dhe të partive politike parlamentare të komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, sot e kanë dhanë betimin para presidentit Thaçi se do t’i kryejnë me nder detyrat e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Partia e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, në KQZ do të përfaqësohet nga Sami Kurteshi e Alim Rama, ndërsa LDK do të përfaqësohet nga Sami Hamiti.

Arianit Elshani nga PDK ndërsa Ibrahim Selmanaj nga AAK.

Nenad Rikalo, ish-ministri në Qeverinë Haradinaj do të përfaqësoj Listën Serbe në KQZ, ndërsa Esheref Vishi koalicionin Nisma-AKR-PD.

Cemailj Kurtishi nga koalicioni VAKAT, ndërsa Rifat Krasnic nga KDTP dhe Artan Aslani nga PAI.

“Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot e dhanë betimin se do t’i kryejnë në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme të gjitha detyrat e tyre”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.