Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Beteja gjyqësore për shpifje dhe fyerje mes Kusari Lilës dhe Ardian Gjinit, Gjykata merr vendim

Gjykata Themelore e Gjakovës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Mimoza Kusari – Lilës e cila ka kërkuar që të vërtetohet se Ardian Gjini kishte shpifur ose fyer ndaj saj në dy prononcime publike të ndryshme në emisionet “Rubikon” dhe “Magazina Lokale”.

Me këtë rast është hedhur poshtë edhe kërkesa e Kusari – Lilës që të detyrohet i padituri Ardian Gjini t’ia paguaj shumën prej 3 mijë e 250 euro në emër të cenimit të autoritetit dhe shumën prej 3 mijë e 250 euro në emër të shkaktimit të dhimbjeve shpirtërore.

Për më tepër, sipas këtij aktgjykimi të shkallës së parë Kusari – Lila obligohet të ia paguajë Gjinit 916 euro në emër të shpenzimeve procedurale.

Mimoza Kusari – Lila kishte kërkuar nga Gjykata e Gjakovës që të vërtetohet se Ardian Gjini kishte shpifur më 24.10.2017 kur kishte deklaruar se: “”zonja Mimoza Kusari Lila ju ka dhënë tender bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti i saj Arben Lila” duke shtuar se “nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale”, “Arben Lila është partner në Fiberlink dhe diskotekë tjetër”.

Gjithashtu paditësja kishte kërkuar që të vërtetohet se Ardian Gjini kishte shpifur ose fyer në një prononcim tjetër publik më 02.07.2017, ku kishte deklaruar se “Zonja Mimoza Kusari Lila i ka dhënë vetës leje 23 metra afër kullës Sylejkman Vokshi, duke i futur në borxh qytetarët e Gjakovës. Kryetarja e Komunës ka shpronësuar tokat afër kullës “Sylejman Vokshi” për interesa personale dhe kësisoj ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës, për interesa personale”

I padituri, përmes të autorizuarit të tij avokatit Meshari Selimaj në përgjigjen në padi të paraqitur me datë 20.02.2018, e ka kontestuar në tërësi padinë dhe kërkesën e saj.

Në aktgjykimin e datës 09.08.2024, ndër të tjera thuhet se, pasi gjykata gjeti se deklarimet e pretenduara fyese dhe shpifëse të të paditurit të dhëna në një debat politik përgjatë fushatës elektorale, lidhur me mënyrën e udhëheqjes së komunës nga paditësja i përkasin një çështjeje me interes publik, atëherë gjykata vlerëson se të tilla deklarime gjejnë mbrojtje në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, dhe si të tilla duhet të qarkullojnë lirisht si diskutim i lirë për çështje politike që ndërlidhen me interesin publik.

Ky vendim është marrë nga gjyqtarja Fëllënza Kaushaj.

I kontaktuar nga KALLXO.com, avokati i Mimoza Kusari – Lilës, Egzon Doli njoftoi se do të ankohen për vendimin.

“Sot e kam pranuar vendimin. Jemi në procedurë të ankimit shumë shpejt do ta dorëzojmë ankesën. Në ankesë do të jenë të gjitha kundërshtimet lidhur me pikëpamjet e gjykatës për këtë çështje” – ka konfirmuar përmes telefonit më 11.09.2024 avokati Egzon Doli.

Kurse përfaqësuesi i Ardian Gjinit avokati Meshari Selimaj përmes telefonit ka thënë se çdoherë ka qenë i bindur se e drejta është në anën e tij dhe të klientit të tij.

Megjithatë duke potencuar se e ka përfaqësuar rastin për më tepër se 7 vite, ai ka thënë se janë ballafaquar me vonesën e zakonshme në trajtimin e këtyre rasteve.

Më 10.06.2019 Gjykata e Gjakovës e kishte miratuar pjesërisht kërkesëpadinë e Mimoza Kusari – Lilës duke e detyruar Ardian Gjinin  t’ia paguajë ish-kryetares së Gjakovës 1,500 euro për cenim të autoritetit dhe për shkaktimin e dhimbjes shpirtërore.

Beteja gjyqësore Kusari Lila – Gjini, Apeli e kthen rastin në rivendosje