Besnik Tahiri: Shtyrja e zgjedhjeve totalisht e palogjikshme

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se zgjedhjet lokale nuk duhet të shtyhen.

Tahiri ka shtuar se kjo është kërkesë “puro-politike” e pushtetit.

“Kjo kërkesë është totalisht e palogjikshme. Kjo kërkesë bie ndesh me të gjitha praktikat e demokracisë dhe kjo kërkesë nuk ka as bazë ligjore as demokratike. Ne mund ta shkurtojmë fushatën, ne kemi propozuar që fushata të shkurtohet në 5 ditë. Shtyrja e zgjedhjeve është ngufatje, është goditja më e madhe që i bëhet demokracisë së Kosovës”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, për shkak të situatës me pandeminë.

Presidentja Vjosa Osmani sot nga ora 16:30 do të mbajë takim me partitë politike vendore për të diskutuar këtë rekomandim.