Besnik Tahiri polemizon me protestuesit e Telekomit që e quajtën "hajn"

Për t’u takuar me punëtorët e Telekomit të Kosovës të cilët protestuan para objektit të Qeverisë për pagat e tyre ka dalë Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambietit, Blerim Kuqi, dhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.

Fjalimin e tij para protestuesve, Kuqi e ka filluar duke ju thënë “Kadale se bojmë diçka”.

I njëjti i ka ftuar për të biseduar disa nga protestuesit por të njëjtit nuk kanë pranuar por kanë kërkuar zgjidhje për problemin e tyre.

“Jemi në përfundim të rregullimit të këtij procesi, hajdeni bisedojmë. Procesi është në përfundim të zgjidhjes, ne i kemi disa kërkesa në raport me Telekomin edhe ndaj bordit edhe ndaj menaxhmetit edhe Telekomi i ka ndaj neve”, ka thënë ministri.

Ai tutje ka shtuar se bashkë me punëtorët do të gjejë formën më të mirë për të rregulluar këtë problem.

“Ne bashkë me ju do të gjejmë formën më të mirë për të rregulluar këtë problem”, ka thënë Kuqi.

Në fjalën e Kuqit ka ndërhyrë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lahim Balaj, i cili ka thënë se nëse protestuesit shpërndahen do të fillojë greva.

“A e din ministër që shumë shpejtë do të të bjerë rrjeti i Telekomit. Në po kërkojmë zgjedhje me na thanë sot ose nesër në mëngjes, por “jemi afër” nuk mund ta pranojmë si përgjigje”, ka thënë Balaj.

Ai tutje ka bërë të ditur se punëtorët e Prishtinës do të fillojnë sot grevën, ndërsa në komunat e tjera grave do të fillojë nesër në orën 08:00.

Në këtë pjesë foli edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, i cili kur provonte të fliste, disa nga punëtorët e quanin “hajn”.

“Kjo është temë që duhet të jep zgjidhje qeveria, këtë vendim duhet ta marrim në Qeveri. Ata që po më thonë hajna ata janë më hajna se unë, unë nuk jam hajn”, u shpreh Tahiri.

Punëtorët e Telekomit kanë paralajmëruar edhe më herët protesta e greva nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asnjë hap për të zhbllokuar llogaritë dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, të cilat janë bllokuar e tërhequr nga kompania “Dardafon”, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj.