Qeveria Hoti - Foto: ZKM

Besnik Tahiri: Në Bruksel kryeministri Hoti 'ra në mina'

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri në një intervistë për Televizionin Publik ka komentuar vizitën e shefit të tij, Avdullah Hoti në Bruksel ku u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Tahiri tha se: “Hoti ra në mina, po e them në thonjëza”.

Sipas Tahirit, Hoti kishte ra në mina, pasi që protokolli i BE-së, e ka qit në një pozicion të pafavorshëm.

“Z.Hoti në takimin e Brukselit ka ra në mina, në thonjëza, e keni parë. E kanë vendosë në një pozicion totalisht të pafavorshëm në pritje të z.Vuçiqit. E kanë lanë në korridor. Pastaj, ai pritet me pogaçe, pritet me librin “Kosova Metohi”. I gjithë ai kontekst protokollar e ka qit në pozicion të palakueshëm”, tha Tahiri në RTK.

“E kanë vendosur në mina dhe këtu në Kosovë e kanë keqpërdorur opozita. E pyeti, se a di serbisht. Kryeministri Hoti nuk është që ta kthen, që luan me këso”, tha Tahiri.