Besnik Tahiri: LVV Kosovën e ka marrë me çelësa në dorë

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Besnik Tahiri ka reaguar ndaj përmbushjes së agjendës legjislative.

Sipas Tahirit, letërnjoftimi i një qeverie se a është e suksesshme apo e dështuar është zbatimi i dokumenteve që i bënë vet.

“Një ndër këto dokumente është agjenda legjislative e cila ishte e dështuar në vitin 2021. Me ardh sot në prill dhe me i prezantu 27 ligje në periudhën janar-mars dhe me i pru vetëm 9, ndërsa 18 prej tyre mos me kanë askund është dështimi, turpi e mos efikasiteti i një qeverie”, tha ai.

Tahiri shtoi se Lëvizja vetëvendosje Kosovën e ka marr me çelësa në dorë me 2.1 miliard euro, me 117 njohje, me ushtri e polici.

“E ka marr me vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë që shpallja e pavarësisë është e drejtë. E ka marr me konsolidim të policisë dhe populli lyp prej tyre me i kryer këto punë që thonë unë do ti kryej”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se asnjë ligj që e prek jetën e qytetarit nuk e kanë bërë.

“Boni ju çka kemi bo na për 20 vjet. Leni fjalët kthejuni punës bini ligjet që e përmirësojnë jetën e qytetarëve”, përfundoi Tahiri.