Besnik Tahiri kundërshton Jeta Xharrën

Përfaqësuesi i AAK-së në DebatPernime, Besnik Tahiri, e ka kundërshtuar moderatoren e këtij debati Jeta Xharra në hyrjen e emisionit të saj.

Xharra në fillim të emisionit bëri një rekapitullim të zhvillimeve të dy viteve të kaluara gjatë qeverisjes Haradinaj.

Por Tahiri u nda i pakënaqur me ato që dëgjoi.

“Nuk qëndron fakti se janë 5 zëvendës ministra për çdo ministri. Janë 78 zëvendësministra, më pak se 3.8 për çdo ministri”, tha Tahiri.

“Nuk qëndron koncepti i çnjohjes, është zbulim i Daçiqit”, shtoi ai duke u ndërlidhur me çnjohjet që Kosova i pësoi nga shtete të ndryshme në muajt e fundit.

Tahiri përmendi edhe rritjen e pagave.

“Qe 20 vjet pagat e Kosovës nuk janë rritë”, tha Tahiri.

Ai replikoi edhe për përzgjedhjen e Naser Shalës (Ftyra) në krye të Agjencionit Kosovar për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

“‘Ftyrën’ e ka zgjedhë parlamenti, është e padrejtë m’i kërku me dhanë dorëheqje”, tha Tahiri.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.