Besnik Tahiri kërkon seancë të jashtëzakonshme për situatën në veri

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha se e ka paraqitur kërkesën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për diskutime në Kuvend për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës.

“E diskutuam bashkërisht me kolegë dhe u dakorduam me shefat e grupeve që të diskutojmë për kohën dhe datën. Nuk ishte në takim kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, por u dakorduam që me shefat e grupeve të diskutojmë për këtë çështje”, tha Tahiri.

Sipas tij të gjitha partitë politike e shohin se gjendja në veri të Kosovës është shumë serioze dhe temë nacionale.

“Kuvendi përveç që e ka rolin e vetëm me mbikëqyrë e kontrollu qeverinë, ka rolin e vet për të debatuar për çështje si kjo”, tha ai.

Tahiri tha se sot Kryesia ka vendos që të hënën në ora 10:00 të ketë seancë dhe vazhdim të seancës.

Ndryshe me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, qytetarët që kanë targa serbe, tani duhet të marrin targa të përkohshme kur hyjnë në territorin e Kosovës.