Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri kërkon nga Qeveria të sjellin në Kuvend për miratim ligjin e pagave

Kryetari i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministritë përkatëse që të sjellin në Kuvend për miratim ligjin e pagave.

“Një ndër ligjet më të rëndësishme që është në agjendën legjislative që ju keni sjellur në Kuvend është miratimi i ligjit të pagave. Ligji i pagave është dashtë të vijë në Kuvend me 29 tetor të këtij viti dhe deri më tani jo vetëm që nuk ka ardhë ky ligj, mirëpo të gjitha të dhënat që ne i kemi shihet që ky ligj nuk do të ketë mundësi që të vijë në këtë vit në shqyrtim në Kuvend”, ka thënë Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka folur edhe për amandamentimin e ligjit për zyrtarët publik, si dhe për kategorizimin e shërbyesve publik dhe zyrtarët publik që janë në karrierë.

Ai ka deklaruar se Qeveria ka synim që ta partizojë shërbimin civil, zyrtarët civil përmes shkëputjes së kontratës së karrierës së shërbimit civil, që sipas tij është ndërtuar tash e njëzet vite.

“Ka një tendencë për me prishë sistemin e karrierës dhe shefat e divizioneve dhe drejtorëve të departamenteve të marrin kontratë dhe të krijojnë marrëdhënie pune ngjashëm sikur me sektorin privat në mënyrë që të krijojnë një mandat katër vjeçar”, tha deputeti Tahiri.