Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri: Kandidatit tonë po i pamundësohet kandidimi për një gjobë trafiku prej 18 euro

Zëvendëskryeministri në detyrë nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka komentuar zhvillimet e fundit ku disa prej kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të lejohen të jenë kandidatë për shkak të vendimeve gjyqësore të plotfuqishme në 3 vitet e fundit.

Tahiri thotë se AAK është goditur rëndë nga ky interpretim.

“AAK është goditur në mënyrën më të paparaparë. Shemsedin Dreshaj ka një gjobë trafiku prej 18 euro, e cila madje e ka kaluar kohën prej 3 viteve”, tha Tahiri.

“AAK është dëmtuar, derisa kemi 4 kandidatë që për gjoba s’po mundem me kandidu. AAK është dëmtuar. Ne e kemi dërguar ankimin tonë për Shemsedin Dreshajn dhe 3 të tjerët. Nuk munden me na heq emrat nga listat në këtë formë”, tha tutje Tahiri.

Ai ka përmendur edhe rastin e një kandidateje tjetër, e cila është një nga emrat që KGJK ia ka dërguar KQZ për moscertifikim.

“Është një kolege tjetër që ishte e brengosur. Tha: tanë natën s’kam flejtë se populli po mendon që kam precedent penal. Kjo nuk mundet me ndodhë kështu”, shtoi Tahiri.