Besnik Tahiri: Javën e ardhshme do të ketë qeveri të re

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, pas takimit me kandidatin e LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë që kanë diskutuar për drejtimet e qeverisë së re.

“Kemi pasur një takim pune me mandatarin për kryeministër së qeverisë së re, Z.Hoti. Në takim i diskutuam edhe një herë drejtimet parimore të qeverisë, diskutuam për organizimin dhe mandatimin sa më shpejtë të kësaj qeverie në Kuvend”, tha ai.

Tahiri tha që ende nuk kanë diskutuar për ndarjen e dikastereve, përderisa theksoi se javën e ardhshme do të miratohet qeveria e re.

“Në të njëjtën kohë do të dakordohemi edhe për temat që lidhen me dikasteret. Deri më tani nuk ka një marrëveshje, shumë shpejt mendoj që Hoti do të dalë me marrëveshje finale. Është duke u punuar për t’u përgatitur kjo seancë, në javën e ardhshme jam i bindur që do të ketë qeveri të re”, tha ai.

Tahiri u pyet edhe për emrat e ministrave të AAK-së në qeverinë e re, ku përmendi që si emra të diskutuar janë ai, Blerim Kuqi, Selim Selimi, por që sipas tij ende nuk ka vendim.

“Emri i Blerim Kuçit është përmendur për ministër, por nuk kemi diskutuar për ndarje. Këshilli Drejtues e ka votuar marrëveshjen me Lidhjen Demokratike përmes komunikimit online, kryetari Haradinaj ka pasur takime me grupin parlamentar, ka pasur sot një takim me kryetarët e Komunave, do të jetë një takim edhe me një pjesë tjetër të këshillit drejtues dhe aty do të votohen këta emra, që janë diskutuar në këto forume”, tha ai.

Dje Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mandatarin për formimin e qeverisë.

LDK-ja ka vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidatë për kryeministër të Kosovës në kuadër të kësaj partie.

Ditë me parë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur pro koalicionit me  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave.

Kjo iniciativë për formimin e qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti më 25 mars. LDK-ja e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni kishte iniciuar mocion për shkak të mospajtimeve për tarifën si dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.