Besnik Tahiri nga AAK, seanca e Kuvendi 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Besnik Tahiri i quan lojë fjalësh, 4 propozimet e Kurtit në dialog

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka quajtur lojë fjalësh katër propozimet e kryeministrit, Albin Kurtit në paraqitjen e tij të parë në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas Tahirit, Kurti i harroi temat kryesore, siç janë njohja reciproke dhe kërkim falja.

“Kurti për habinë e të gjithëve ndodhi ajo që për shumë gjatë e kemi thënë. Humbi tema e njohjes reciproke, humbi tema e kërkim faljes, humbën temat kombëtare dhe dhe filloi loja e fjalëve, CEFTA e SEFTA që në esencë është mini-shchengen”, tha Tahiri.

Ai po ashtu ka kërkuar nga Kurti që të raportojë sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës në lidhje me takimin e parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kërkojmë nga kryeministri që të na raportojë saktësisht për këto pika dhe pse në këtë takim nuk kërkoi njohje, nuk foli për marrëveshjen reciproke por u ndal në katër pika që në esencë nuk janë asgjë tjetër veçse një lojë e fjalësh. Kërkesa e jonë është që Kurti të  vijë sa më shpejtë të raportojë në Kuvend”, tha Tahiri më tej.