Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri i drejtohet Vetëvendosjes: Mos i politizoni agjencionet e pavarura

Besnik Tahiri, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, në seancën e sotme plenare të Kuvendit, ka kërkuar nga pozita që të mos i politizojnë agjencionet e pavarura.

Tahiri ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po shfaq tendenca të ngjyrosjes politike dhe kapjes së institucioneve të pavarura.

“Tendencën e partizimit, respektivisht kapjes së institucioneve të pavarura të kuvendit të Kosovës, agjencive që raportojnë që janë trupa të këtij institucioni”, ka thënë Tahri.

Tahiri e përmendi edhe procesin e rekrutimit të komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, lidhur me këtë proces Tahiri tha se pozita kritikat e shoqërisë civile dhe ekspertëve ndërkombëtar po i merr për bazë vetëm atëherë kur po janë në favor të tyre.

”Ky parlament dhe komisioni këtë javë e emëroj komisionerin për informim dhe privatësi. Është shumë interesant kur ju pëlqen kritika e shoqërisë civile që ka qenë me ju gjatë gjithë kohës shumë ju duartrokitni, kur ju pëlqen rekrutimi me ekspert të Ambasadës Britanike thoni mirë janë ndërkombëtaret, në momentin kur e keni një rekomandim prej tyre që e kundërshton mendimin e juaj, jo ata nuk janë të mirë”, shoti më tej Tahiri.

Ai i bëri thirrje pozitës që të mos i politizoj agjencionet e pavarura sepse tha se nëse vazhdohet me këtë hov, atëherë këto agjencione duhet të quhen jo agjencione të pavarura por agjencione të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mendoj që kjo logjikë i bënë dëm vendit, mbi të gjitha i bënë dëm sistemit politik dhe qeverisës që ne e kemi ndërtuar si shtet, pra me e nda nivelin e emërimeve politike, thash në rregull jam me atë temë, është e juaja, por ne agjencionet që janë të pavarura që i raportojnë kuvendit që kanë mandat katër vjeçar, ju lutem ndaleni turrin sepse janë edhe disa agjencione që janë tu ardh dhe të cilat e thom me përgjegjësi të madhe nëse filloni me këtë qasje nuk po ju thojmë më agjencione të pavarura por agjencione të lëvizjes vetëvendosje”, tha Besnik Tahiri.

Mospajtime e shumë zhurmë ka shkaktuar përsëri procesi për përzgjedhjen e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kjo është hera e katërt e përsëritjes së këtij konkursi, kjo për shkak se tre herët e tjera për shkak të parregullsive të konstatuara në konkurs, procesi ishte kthyer në pikën zero.

Kthimin e konkursit për të katërtën herë në pikën zero kësaj radhe po e kërkon opozita.

Kundërshtime rreth mënyrës së rrjedhës së këtij procesi kanë pasur edhe një grup i organizatave të shoqërisë civile, të cilat procesin e kanë quajtur jotransparent dhe jolegjitim, duke kërkuar që si rezultat i parregullsive, procesi për të katërtën herë radhazi të kthehet në pikën zero.

Tahiri ka folur edhe për emërimet politike në instutucionet qeveritare.

“Në qeveri ka nepotizëm në emërime politike, por ligjërisht janë në rregull, përkundër që zgjedhjet janë fituar që – nipat, mbesat e kushërinjtë janë për dasma, e nuk janë për të hyrë në Qeveri”, tha Tahiri