Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri dhe Arben Vitia me mospajtime për vaksinat dhe faljen e borxheve të bizneseve

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se sot janë bërë 45 ditë prej kur Albin Kurti është kryeministër dhe 82 ditë që Kurti i ka fituar 50 për qind të votave të popullit dhe qeveria nuk kanë sjellë program në Kuvend.

Tahiri tha se në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë janë paraparë mjetet financiare për të nënshkruar kontratën për të blerë vaksinat, për të vepruar në mënyrë që të fillojë vaksinimi masiv i popullatës.

“Kur keni me nënshkruar kontratën. Nënshkruaje kontratën mos i blej gjysmë milioni por për 1 milion e gjysmë e ke buxhetin. Nëse ju nuk veproni, dyshimet tona për korrupsion e keq menaxhim janë valide. Nuk po ju kërkojmë informata rreth procesit konfidencial, po ju themi shfrytëzoni mjetet që të filloj vaksinimi”, tha ai.

Tahiri ka thënë se mbyllja 12 ditore ka shkaktuar humbje me miliona dhe kërkoi faljen e borxheve të bizneseve të dënuara në pandemi.

“Grupi Parlamentar i Aleancës kërkon prej jush që të gjitha bizneset që janë dëmtuar në këtë proces, të gjitha bizneset që janë gjobitur në kohë të pandemisë, të bëhet falja e gjobave. Është e pa drejtë e pa moralshme e pa sinqertë që gjitha grupet parlamentare në fushatë të mbajnë takime mbi 50 veta e mos me u dënu ndërsa mu sanksionu përmes inspektimit që po bëhet nga Agjensioni i Veterinarisë në të gjitha bizneset dhe me u bo këto gjoba”, tha Tahiri.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, u kundërpërgjigj në deklaratat e Tahirit, duke thënë se deri më datën 23 mars ishte zëvendëskryeministër dhe i kërkoi sqarim se pse nuk i kanë blerë vaksinat.

“Për 10 muaj sa keni qenë zv/kryeministër pse nuk i bletë vaksinat kur ishit deri më datë 23 mars”, tha Vitia.

Ai shtoi se më datën 4 maj ka ardhur një kontingjent me vaksina dhe do të vijnë edhe kontingjente tjera.

“Gjatë majit kam thënë se do të filloj procesi i vaksinimit i cili nuk do të ndalet”, tha Vitia.

Ai ka kundërshtuar faljen e borxheve të bizneseve duke thënë se kjo do të nënkuptonte që edhe bizneset që i kanë respektuar masat të mos i respektojnë më.

“Të kërkohet që t’u falen bizneseve dënimet e shqiptuara, është mesazh i gabuar që u qojmë atyre bizneseve, dhe që janë me mijëra, që i kanë respektuar masat dhe është favorizim i atyre që nuk i kanë respektuar masat dhe është thirrje që edhe bizneset tjera mos t’i respektojnë masat që kanë tregu që kanë qenë të efektshme”, tha Vitia.

Vitia tha se mbyllja 12 ditore ka rezultuar me zbritje të shifrave të të infektuarve.