Besnik Tahiri anulon vizitën zyrtare në Turqi pas zhvillimeve të fundit në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend, ka anuluar vizitën në Turqi.

“Ndonëse kisha në agjendë vizitë më të gjatë, në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, e njoftova se nuk mund të vazhdoja vizitën zyrtare në Turqi, pasi që situata në vend është serioze me zhvillimet në fundit në Kosovës”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se e ka njoftuar ministrin e Jashtëm të Turqisë në lidhje me këtë çështje.

“Mikun e Kosovës, Ministrin Çavuşoğlu, e falenderova për mirëkuptimin e tij të plotë, si dhe për mbështetjen që Turqia dhe ai personalisht, i kanë ofruar dhe po i ofrojnë Kosovës.  Ministrin po ashtu e njoftova se për ne është lajm i rëndë që Presidentit Thaçi, Kryetarit Veseli, në kohë lirie dhe pavarësie, po ju imponohet një betejë e re, kësaj radhe ligjore, për të cilen jemi të bindur se do ta fitojnë”, ka shkruar më tej Tahiri.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi sot janë nisur nga Aeroporti e Prishtinës për të shkuar në Hagë, pas aktakuzave ndaj tyre që u konfirmuan nga Gjykata Speciale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasi që ka njoftuar për konfirmimin e aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj tij, ka theksuar se e vlerëson lart faktin që ka marrë ftesë për paraqitje dhe nuk është arrestuar.

Situatë e njëjtë nuk ka qenë me ish-bashkëpartiakun e Veselit dhe ish-zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili dje u arrestua pas një bastisje disa orëshe nga hetuesit e Speciales.