Besnik Bislimi udhëton drejt Brukselit, pritet të zhvillojë takime me kryenegociatiorin serb Petar Petkoviq

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit ku nesër pritet të zhvillohen takime në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”-është thënë në komunikatë.

Të enjten, emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, përfaqësuesit e shoqërisë civile në veri si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ai në një konferencë për media ka njoftuar se të hënën do të takohet me kryenegociatorët nga Kosova, Besnik Bislimin, dhe nga Serbia, Petar Petkoviqin.

“Do të takohem me kryenegociatorët, Bislimin dhe Petkoviq të hënën në Bruksel, pra kjo është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi në atë se si të vazhdojmë, kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapave”- shtoi ai.