Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Besnik Bislimi tregon pse nuk është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të LVV-së
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, ka treguar se pse ai nuk është pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje të kandidatëve për deputetë.
Ai ka thënë se reagimi i tij vjen për t’u dhënë fund – sipas tij – manipulimeve që janë shpërndarë mbrëmë, më 11.12.2024.
“Për t’i dhënë fund edhe manipulimeve të shpërndara që nga mbrëmë, njoftoj të gjithë se mospjesëmarrja ime në listën zgjedhore të subjektit tonë, vjen si fakt i udhëheqjes së Shtabit Zgjedhor. Shefi i Shtabit, rrjedhimisht, nuk do duhej të jetë pjesë e listës. Kështu ka qenë edhe në vitin 2017, edhe më 2019, edhe më 2021, e do jetë përsëri tash në 2024. Rezultati i tri Zgjedhjeve të fundit tregon që, kjo ka qenë strategjia e duhur.” – tha ai.
Bislimi tha se Kosova për herë të parë ka një Qeveri, e cila po e përmbyll të plotë mandatin e saj katërvjeçar.
Sipas tij, kjo Qeveri ishte fryt i listës së fitores së madhe të 14 Shkurtit 2021.
Bislimi shtoi se me një listë po aq të denjë për të përfaqësuar shtetin dhe qytetarët, me figura të reja e të njohura, po kandidojnë edhe për Zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025.
“Që kjo është lista më e mirë, e tregojnë emrat, e tregojnë arritjet, e tregojnë intelekti, aftësia dhe ndershmëria e të gjithëve për të jetësuar idealet e vlerat e Lëvizjes. Lista jonë i flet qytetarit dhe është zë i tyre.” – u shpreh Zëvendëskryeministri.
“Andaj, për dallim prej subjekteve të tjera politike, Lëvizja jonë nuk ka nevojë për shpenzime marramendëse të dhjetëra mijëra eurove në ditë për rrjete sociale e analistë, për t’i “bindur” qytetarët për kualitetin e listës. Qytetarët e njohin fort mirë Lëvizjen VETËVENDOSJE! – atë çka ne përfaqësojmë dhe qëndrimet tona.” – vazhdoi i njëjti.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar pak pas mesnates, më 12.12.2024, listën me emrat e kandidatëve për deputetë, për Zgjedhjet Parlamentare të 9 Shkurtit 2025.
Në këtë listë, përpos Besnik Bislimit, nuk figuron as emri i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, nga i cili nuk ka ende ndonjë reagim.
Listës i prin Albin Kurti, i pasuar nga Glauk Konjufca.
Në listën e LVV-së për deputetë nuk janë Liburn Aliu dhe Besnik Bislimi