Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Bislimi thotë se kanë arritur marrëveshje në parim me palën serbe për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është arritur një marrëveshje në parim me palën serbe në lidhje me targat e automjeteve.

Kjo marrëveshje parasheh që në targat e automjeteve të dy vendeve të vendosen “stickers” dhe se kështu pritet të jetë për një periudhë 6-mujore dhe se gjatë kësaj kohe ekipet e dy vendeve duhet të arrijnë një marrëveshje të përhershme për këtë çështje.

Ai ka thënë se janë pajtuar me palën serbe edhe për deeskalimin e situatës në veri të vendit.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh që nga e shtuna të hiqen barrikadat dhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe të vendoset KFOR-i.

“Kemi detyruar Serbinë që të largojë edhe ato procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë dhe mendoj që ky ka qenë edhe rezultati sot… ne natyrisht preferonim që mos të ketë asnjë barrierë që të dy shtetet të njohin tabelat e njëri-tjetrit, por ky do të jetë edhe objektivi kryesor i grupit punues të cilin do ta themelojmë e i cili do të fillojë të takohet që nga data 21 tetor”, tha ai nga Brukseli.

Sipas Bislimit, vetëm te një pikë pala serbe ka hezitime.

“Ne kemi dakordim për të gjitha pikat, e vetmja pikë ku pala serbe nuk e ka dhënë pëlqimin, që të quhet marrëveshje e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM, për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat. Ne mendojmë që kjo është absurde sepse ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku i favorizojmë”, deklaroi Bislimi.

Sot është dita e 10-të prej kur Qeveria e Kosovës vendosi që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë.

Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Menjëherë pas vendimit, afër dy pikave kufitare u vendosen forcat speciale të Policisë së Kosovës.

Vetëm pas tetë ditësh bllokadë, KFOR nisi që të patrullojë në veri të vendit.

Ndërkohë, që forcat e rendit të Kosovës qëndronin në pikat e tyre pranë kufirit me Serbinë, ky shtet shtoi prezencën e ushtrisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

Madje, disa ditë, pati edhe lëvizje të aeroplanëve ushtarakë e helikopterëve.

Një propozim për zgjidhjen e bllokadës ishte dhënë se fundmi nga komandanti i KFOR-it, por siç u tha nga Qeveria e vendit, ai ishte refuzuar nga pala serbe.