Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Bislimi: Strukturat paralele në veri janë më të forta se në kohën kur janë shpartalluar

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se strukturat paralele në veri të vendit janë më të forta se në kohën kur ishte marrë një vendim për shpartallimin e tyre.

Bislimi, në intervistë për “Kallxo Përnime”, ka thënë se ato janë të rrezikshme në fushën e sigurisë.

Ai tha se me Asociacionin (për Komunave me Shumicë Serbe) “nuk po ndodh asgjë”.

“Në Bruksel janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje dhe nuk mund të thuhet se kjo është marrëveshja e rangut të parë, e rëndësisë së lartë, e kjo e rëndësisë së dytë. Për ne të gjitha marrëveshjet e kanë rëndësinë e njëjtë, për mua ndoshta menaxhimi i kufijve të integruar është më i rëndësishëm sesa Asociacioni”, tha ai.

Besnik Bislimi tha se shpartallimi i strukturave ilegale serbe në veriun e Kosovës ka dështuar. Sipas tij, ato tashmë janë më të forta.

“Zhdukja e strukturave paralele serbe është shumë më e rëndësishme sesa Asociacioni. Ky qëndrim ne e themi edhe në Bruksel. Strukturat paralele janë edhe më të forta se më herët. Janë më të forta se kur është bërë vendimi për shpartallimin e tyre”, deklaroi Bislimi.

Ai tha se këto struktura mund të përdoren në të ardhmen.

“Sipas mendimit tim, nuk ka ndodhur kurrë largimi i strukturave paralele, ato janë forcuar dhe përdoren, sipas tyre, kur të vijë themelimi i i Asociacionit, të përdorën për arritjen e qëllimeve”, deklaroi Besnik Bislimi.

Ai ka thënë se duhet kohë që ato të shpartallohen ndërsa tha se rreziku më i lartë nga strukturat paralele në veri vjen në fushën e sigurisë.

“Mendoj që strukturat paralele që mund të jenë të rrezikshme janë kryesisht në fushën e sigurisë, të cilat nuk ekzistojnë formalisht por dihet që funksionojnë. Nuk po them që janë rritur këto struktura në 8 muajit e fundit por po them që janë rritur prej kur janë shpartalluar. Ajo çfarë ka ndodh janë akomodu nëpër institucione”, tha ai.