Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Besnik Bislimi: Serbia po tenton t’i ndalojë donacionet e Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar Serbinë se po përpiqet ta ndalojë mbështetjen financiare e dedikuar për bujqit shqiptarë në Preshevëe, Bujanoc e Medvegjë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë” – ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai ka thënë se Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social ka ndërhyrë për të bllokuar procesin e ndarjes së subvencioneve, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike që ishte shpallur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar më 26.10.2024.

“Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës” – ka shtuar Bislimi.

Këto donacione, siç tha zëvendëskryeministri, synojnë ta përmirësojnë jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesin zhvillimin ekonomik në këto komuna, “ndër më të varfrat me papunësi të lartë e veçanërisht te të rinjtë”.

Bislimi tha se Serbia nuk ka të drejtë ta pengojë mbështetjen e tyre për shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe ka ftuar Bashkimin Europian, OSBE-në, shtetet e QUINT-it e organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

“Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor” – ka përfunduar Zëvendëskryeministri.

Qeveria e Kosovës kishte planifikuar që të ndajë 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun për vitin 2025, në njërën prej mbledhjeve të saj.