Foto: PSD

Besnik Bislimi reagon pas aksionit të PSD-së për ‘Çmimin Nobel’

Minisri në detyrë i Financave dhe i Transfereve, Besnik Bislimi ka reaguar pas aksionit të sotëm të PSD-së, që në oborr të qeverisë së Kosovës, ndanë “Çmimin Nobel për ekonomi Besnik Bislimi”.

Bislimi këtë e ka quajtur “makro aksion” dhe PSD-në “mikro parti”.

“I nderuar edhe nga ky makro aksion i një mikro partie Mendoj që PSD-së i bëhet padrejtësi e madhe duke ia zhvlerësuar aksionin. Për një parti të përmasave të PSD-së ky aksion kërkon angazhim maksimal dhe shtjerrje resursesh të kufizuara e veçanërisht në këtë periudhë pandemia. Andaj, edhe nëse partia është simbolike, aksioni i tyre nuk mund të quhet i tillë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministri në detyrë ka ironizuar me pjesëmarrësit në aksionin e PSD-së.

“Nëse PSD vendos që pjesëmarrësit në aksion t’i pajisë me kontrata njëvjeçare, mund të bëhen pjesë e masës 14 dhe të kontribuojnë edhe më tej në uljen e papunësisë”, thuhet në publikimin e tij.

PSD aksion në oborr të qeverisë, ndajnë çmimin “Besnik Bislimi” për ekonomi

Partia Socialdemokrate sot ka mbajtur një aksion simbolik përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pas deklaratave të ministrit në detyrë të Financave Besnik Bislimi se aktualisht është ulur numri i papunësisë në Kosovë.

PSD-ja në këtë aksion prezantoi një çmim të veçantë për ekonomi me emrin e ministrit në detyrë,  Bislimit, për siç janë shprehur kontributin e tij në uljen e papunësisë në Kosovë gjatë kohë së pandemisë “për ta bërë vendin e vetëm në botë që arrinë këtë gjë”.

“Pas sukseseve të mëdha në xhudo e muzikë, pas Majlinda Kelmendit, Rita Orës e Dua Lipës, vendi ynë shënohet në listën që ka prodhuar zbuluesin epokal të ekonomisë, Besnik Bislimi. Prej sot, nobeli për ekonomi e ka ndërruar emrin. Tash quhet “çmimi Besnik Bislimi për ekonomi”. S’mund të mos i atribuohej ky nder njeriut që me një të rënë lapsi, si Demokleu me shpatë na e uli papunësinë në 6.6 %”, njofton kjo parti politike në Facebook.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfere, Besnik Bilsimi është përfshirë në polimika pas deklaratës së tij se numri i të papunëve në Kosovë për një muaj shënon rënie 6.6 për qind dhe që përbën uljen më të madhe në dy dekadat e fundit.

Lidhur më këtë deklaratë të tij ka reaguar Visari Ymerit nga PSD i cili deklaroi se ministri po luan me numera në mënyrë manipulative dhe keqinformuese.

Gjithashtu, Bislimi i reagoi edhe Lulzim Pecit, drejtorit të KIPRED, pasi që ky i fundit deklaroi se ministri mund të marrë çmimin Nobel për ekonomi.

Bislimi deklaroi se nuk pretendon që papunësia në Kosovë është zvogëluar falë pandemisë.