Foto: Ministria e Financave dhe Transfereve

Besnik Bislimi pranon detyrën e ministrit të Financave dhe Transfereve

Besnik Bislimi edhe zyrtarisht e ka pranuar detyrën e ministrit të Financave dhe Transfereve.

Këtë detyrë ai e ka pranuar nga ministri në largim, Lulzim Rafuna.

Në fjalën e tij pas pranimit të detyrës, Bislimi ka thënë se do të jap maksimumin për të implementuar programin e Qeverisë Kurti.

“Pranimi i detyrës së Ministrit të Financave dhe Transfereve për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe dhe jam i bindur që së bashku me ju do ta japim maksimumin në mënyrë që gjërat të ecin në drejtim të duhur në implementimin e programit të Qeverisë Kurti”, u shpreh gjatë pranimit të detyrës ministri Besnik Bislimi.

Bislimi tha se duke pasur parasysh se e njeh një pjesë të stafit të Ministrisë kjo e bën që të ndihet më i sigurt në hapat në vazhdim pasi që në kuadër të MF-së gjithmonë ka pasur dhe ka njerëz të përgatitur dhe të përgjegjshëm për punë.

Ai gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh programin e Qeverisë, i presin punë të mëdha.

“Dhe për këtë jam i sigurt që së bashku do ta arrijmë realizimin e tij”, theksoi Bislimi.

Ndërsa ministri në largim, Lulzim Rafuna gjatë pranim-dorëzimit të detyrës së ministrit theksoi se ka kënaqësinë që po e dorëzon sot detyrën e ministrit dhe se ky pranim-dorëzim po ndodh në kohën kur bilanci bankar është mbi 494 milionë euro, po ashtu edhe afër 500 milionë euro shtesë të cilat janë për projektet e kontraktuara, deficiti është 0,7% dhe është nën normën e planifikuar.

“Kjo është një siguri e madhe sa i përket gjendjes financiare të shtetit të Kosovës”, tha Rafuna gjatë dorëzimit të detyrës së ministrit.