Besnik Bislimi: Plani ishte të digjej pika kufitare e Jarinjës

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm.

Bislimi ka shkruar se ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës.

“Dje Serbia nuk i ndaloi huliganët serbë – ajo u tërhoq nga plani për djegien e Jarinjës. Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm. Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin” – ka shkruar Bislimi në rrjetin social Facebook.

Bislimi tha se ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, duke veçuar amerikanët.

“Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte. Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në” – ka shkruar ai.

Zëvendëskryeministri shtoi se “ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë”.

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për dhjetë ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Gjatë ditës së djeshme KFOR ka krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar në zonën ku janë policia në Jarinjë. Kordonet janë vendosur në mes bazës së policisë kufitare dhe pikës kufitare e poashtu në pjesën e poshtme.