Besnik Bislimi përplaset me Memli Krasniqin për çështjen e arkivave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po i quan të turpshme reagimet ndaj tij për çështjen e hapjes së arkivave, temë që u diskutua në Bruksel.

Bislimi në seancën e Kuvendit i ka reaguar kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, duke i quajtur të turpshme fjalët e tij për arkivat edhe pas demantimit të emisarit të BE-së.

“Sot kryetari i grupit tuaj parlamentar, pa pikë turpi doli tha që ke folë për arkiva të UÇK-së edhe pas demantimit që i ka bërë Lajçak. Nuk e dini ku e keni fundin. Mungesën e turpit e keni privilegj”, tha Bislimi.

Lajçak në ditën e fundit të vizitës në Kosovë tha se në takimin e fundit mes Bislimit dhe Petkoviqit që ka ngjallur interesim rreth temës së arkivave, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por arkiva shtetërore të Kosovës.

“Nuk ka pasur diskutime specifike për arkivat, ka pasur rikonfirmim se nuk do të ketë pengesa nga palët për të pasur kyçje në arkiva, kjo është çfarë është thënë edhe para një viti. Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiv shtetërore të Kosovës”, tha Lajçak.

“As nuk ua permendi emrin për shkak të pa rëndësisë që përfaqësoni. Logoja e UÇK-së në faqen time (në facebook), nuk përfaqëson asgjë kundër juve. Atëherë edhe Vasfije Krasniqi paska reaguar ndaj juve, se edhe ajo e ka logon”, tha Krasniqi.

Krasniqi kishte publikuar në Facebook logon e UÇK-së, ku ka vendosur mbishkrimin “E shenjtë, e pastër, e përhershme, e paprekshme!”

Ndërkaq, për këtë çështje reagoi edhe deputeti Abelard Tahiri.

“Je kryeministri i parë që dy herë shkon në Bruksel dhe e bëni temë çështjen e UÇK-së. Kjo është e dëmshme, kjo nuk ka qenë asnjëherë. Hashim Thaçi ka qenë fitimtar i luftës, fatkeqësisht sot neve na udhëheq një njeri që është viktimë e atij regjimi. Unë kisha dashtë që t’i me kanë fitimtar, po je viktimë” u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, Bislimi si zëvendëskryeministër tha që ka akces vetëm në arkiva shtetërore, por nuk ka akces në arkivat private të dikujt tjetër.

“Ju i keni thënë Lajçakut ‘Detyra jonë është ta kritikojmë Qeverinë’ në takimin që keni pas me të. Por kritika e Qeverisë nuk bëhet me shpifje, shantazhe, gënjeshtra e duke nxitur valë kërcënimesh”, tha ai.

Pas takimeve bilaterale dhe trilatrale në Bruksel, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi kishte thënë që pala serbe është dakorduar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK-në.