Besnik Bislimi: Nuk do të ketë negocim për dialog në takimin e Kurtit me Lajçakun

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se në takimin e ardhshëm që do ta mbajë kryeministri Albin Kurti me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Bruksel, nuk do të ketë negocim për dialogun Kosovë-Serbi.

“Poashtu delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Kurti, një nga 17 takimet e dy ditëve në vijim do ta ketë sërish me Lajçak. Në asnjërin nga këto takime nuk ka negociim, por janë takime informative”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Para disa ditësh, gjatë një konference për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.