Besnik Bislimi nga Strasburgu: Objektivi kryesor gjeopolitik i Kosovës është anëtarësimi në BE

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka thënë se objektivi kryesor gjeopolitik dhe strategjik i Kosovës, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Nga Strasburgu, ku mori pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE – Kosovë, Bislimi tha se dy synimet tjera të Kosovës janë heqja e vizave dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

“Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, të zhvilluar në Strasbourg, theksova qëndrimin e Kosovës ndaj konfliktit në Ukrainë, duke u bashkuar me sanksionet e aplikuara nga BE kundrejt Rusisë. Informova parlamentarët prezent edhe për rezolutën e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë”, ka bërë të ditur Bislimi.

Sa i përket aplikimit për anëtarësim në BE, Bislimi tha se Rezoluta e Parlamentit Evropian që i bën thirrje institucioneve të BE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat, është inkurajuese për Kosovën.

“Në këtë drejtim, ritheksova progresin e Kosovës në kuadër të agjendës evropiane ERA II si dhe progresin e shfaqur në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik si dhe nevojën e përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin në BE. Kjo, edhe për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë dhe parandalimin e influencës ruse në Ballkan”, ka shkruar Bislimi.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Bilsimi tha se ka bërë thirrje edhe njëherë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe përmbyllja e këtij procesi është shumë e nevojshme.

“Në mbyllje potencova objektivin kryesor gjeopolitik dhe strategjik të Kosovës i cili është anëtarësimi i ardhshëm në BE, dhe dy synime të tjera që përfshijnë heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”.