Besnik Bislimi në Shtëpinë e Bardhë pritet nga drejtori i lartë për Evropë në Këshillin për Sigurinë Kombëtare

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar me Drejtorin e lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të administratës Biden, ambasadori Michael Carpenter në Shtëpinë e Bardhë.

Në njoftimin e zyrës së Bislimit, thuhet se ky i fundit në takimin që pati me ambasadorin Carpenter tregoi për perspektivën e dialogut dhe rrugën përpara në normalizimin e marrëdhënieve, me theks në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të Ohrit, ku Kosova vazhdon të mbetet konstruktive dhe e angazhuar në proces.

“Zëvendëskryeministri Bislimi tha se edhe sulmi i fundit terrorist javën e kaluar në Varagë të Zubin Potokut në kanalin e Ibër Lepencit, është tregues i radhës se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve dhe fqinjësi të mirë. Ai theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsëritë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit”- thuhet në njoftim.

Tutje i njëjti kishte mirënjohjen për SHBA në lidhje me mbështetjen ndaj Kosovës, e që theksoi partneritetin, miqësinë dhe aleancën e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Më tej, ai foli për politikat nxitëse të ndërmarra nga qeveria për të mbështetur komunitetin serb në Kosovë dhe lehtësimin e integrimit të tyre”- thuhet tutje në njoftim.