Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi – Foto: ZKM

Besnik Bislimi me dy shoferë në kabinet

Kabineti i zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi përveç këshilltarëve e asistentëve ka në përbërje edhe dy vozitës.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar emrat të emëruarve politik dhe administrativ në Zyrën e Kryeministrit, zëvendësministrave dhe ministrave si dhe rrogat e tyre.

Në kabinetin e Bislimit janë 11 persona të emëruar politik. Prej tyre një këshilltare e lartë politike, 3 këshilltarë politik, asistente e zyrtare për protokoll. Poashtu janë emëruar edhe dy vozitës.

Rroga e një zëvendëskryeministri të Kosovës është 1 mijë e 410 euro e 55 cent.

Në kabinetin e Bislimit, Kaltrina Zeka është këshilltare e lartë politike. Për këtë pozitë, sipas Ministrisë së Financave rroga bazë është  720.72 euro.

Përveç saj, në kabineti janë edhe disa këshilltar të tjerë politik, si Valon Osmani, Blerta Greiçevci dhe Bejtush Fetija.

Rroga bazë e një këshilltari politik në Kryeministri, është 600.60 euro.

Kabineti i zëvendëskryeministrit Bislimi ka edhe asistenten e lartë ekzekutive Agnesa Jashari, Albina Hajdari, zyrtare e lartë e protokollit, Albana Musliu asistente administrative, Rrezarina Ibrahimi, asistente administrative.

Kurse dy vozitësit në kabinet janë Lulzim Gjaka dhe Arianit Mehmeti.

Ndërsa, Laszlo Domjan është këshilltar i jashtëm politik.

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna për emërimet nga kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe gjithë ministrat për gjithë të punësuarit në kabinetet e tyre.

Kjo kërkesë është bërë me qëllim të verifikimit nëse premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore për luftimin e nepotizmit janë duke u zbatuar nga kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës me rastin e kompletimit të stafit të tyre.

KALLXO.com në vazhdimësi do të raportojë për emërimet në dikasteret qeveritare.